“Në këtë mënyrë spontanisht krijohet Lidhja. Ajo ishte, në njëfarë mënyre, një qeveri popullore, e ngjashme me besëlidhjen që krijuan në vitin 1291 kantonet zvicerane të Shvicit, Urit dhe Untervaldit. Lidhja nuk kishte një qendër të vetme drejtuese, por vepronte nëpërmjet komisioneve lokale në shumë pjesë të Shqipërisë, të cilat kishin një ndërvarësi shumë të çlirët mes tyre. Dolën megjithatë në pah tri qendra që morën përsipër organizimin dhe drejtimin e luftës, Prizreni për Shqipërinë Verilindore dhe Lindore, Shkodra për Shqipërinë Veriore dhe Veriperëndimore, dhe Preveza për Shqipërinë Jugore.Por kishte një ide themelore që i bashkonte të tërë, mbrojtja e trojeve amtare të rrezikuara nga serbët, malazeztë, bullgarët dhe grekët”(1)
Studjuesi Eqrem bej Vlora sipas meje është një studiues i rrallë i cili në Kujtimet e t’ia i ka përshkruar ngjarjet historike gjatë viteve 1885-1925 në mënyrë objektive pasi që edhe vetë ka qenë pjesëmarrës dhe vrojtues i shumë ngjarjeve historike të rëndësishme dhe ekzistenciale për popullin shqiptar. Është ndoshta prej studjuesëve të parë shqiptar që e prezanton Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në mënyrë objektive dhe pa përzierje të premisave ideologjike. Ai hedh poshtë tezën se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë e dirigjuar prej një qendre të vetme, Prizreni me një qeveri qendrore, por kanë qenë tri qendra të Lidhjes, të cilët në mes vete kishin një bashkëpunim jo të ngushtë, e ato ishin dega e Prizrenit, Shkodrës dhe Prevezës. “Qeveria qendrore në Stamboll jo vetëm që u tregua dashamirëse ndaj idesë, por mori pjesë aktive dhe në themelimin e Lidhjes në Prizren, kjo sepse ishte në interes të saj të nxiste një lëvizje të drejtuar kundër kërkesave sllave e pak më vonë edhe kundër atyre greke, lëvizje që të ishte aq e rëndësishme sa të tërhiqte edhe vëmendjen e Evropës. Më vonë Lidhja humbi mbrojtjen nga rrethet drejtuese në Stamboll, kjo ndodhi sepse kërkesat e saj të gjera iu kundërviheshin hapur interesave të Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e Lidhjes e humbën besimin në të ardhmen e Perandorisë, ata donin tani, që trevave të banuara me shqiptarë t’u jepnin një rend të ri dhe një kufi të ri, të cilët në grindjet e mëvonshme politiko-luftarake të mund të ofronin një garancie për tërësinë kombëtare dhe territoriale. Njeriu që ka qenë forca lëvizëse e gjithë lëvizjes dhe sidomos e fazës së saj të dytë(kërkesa për autonomi) ka qenë Abdyl bey Frashëri.”(2)
Studjuesi Eqrem bej Vlora e jep të vërtetën e Lidhjes sipas së cilës Porta e Lartë ka qenë iniciatore aktive në themelimin e Lidhjes së Prizrenit, dhe se vetëm Ali pashë Gucia ka qenë 8 herë në audiencë tek sulltan Abdylhamidi i dytë, dhe se për mbrojtjen me sukses të Plavës dhe Gusisë, u shpërblye personalisht nga sulltani me çifliqet në Shkup.
Kjo ishte edhe në interes të tij, sepse është munduar të zhagiste sa më tepër dhe u mundua të blejë kohë nga vendimet e Kongresit të Berlinit . Por në fazën e dytë kur dominoi në kuadër tëLidhjes së Prizrenit idea për kërkesën e një Vilajeti autonom shqiptar, kjo politikë autonomist u ndesh në refuzimin e kërkesës së Portës së Lartë dhe vetë sulltanit,ide e iniciuar nga Abdyl bej Frashëri i cili ishte në ndikimin e politikës greke, të cilin e cek edhe studiuesi anglez Noel Malkolmi. “Por nëse ky ndryshim në aspektin shpirtëror dhe politik mund të quhej një fitore e madhe, zhvendosja e karakterit praktik në stilin e udhëheqjes së Lidhjes dëmtoi padyshim vënien në jetë të programit të saj. Themeluesve të Lidhjes dhe udhëheqësve të parë, të prirur për të mbajtur marrëdhënie miqësore me qeverinë e Stambollit dhe për të biseduar me të, iu desh t’ia linin vendin një grupi thuajse ekstremist, i cili kërkonte ta realizonte me çdo kusht programin kombëtar, u pëlqente apo nuk u pëlqente kjo turqve. Këto veprime dhe sjellje të papërshtatshme dhe mburravece shkaktuan që shumë elementë të çmueshëm të largohen nga Lidhja. Shqiptarët duhej të kalonin patjetër një periudhë mësimore dhe prove (qoftë edhe si një provincë autonome) nën protektoratin turk, se ata nuk e kishin ende pjekurinë e duhur politike, kulturore dhe ekonomike për të qenë të pavarur”(3)Këtë ndryshim të pozicionit të politikës së Lidhjes së Prizrenit e sheh fare të panevojshme dhe të dëmshme për kauzulën shqiptare, pasi që me këtë u bë që Lidhja nga Kararnamet e pranuara në Kuvendin themelues lëvizi drejt kërkesave autonomiste, që ishte një kërkesë edhe në mënyrë tërthore edhe e ndarjes nga Perandoria Osmane e që për kohën ishte edhe e pamundshme një gjë e tillë, pasi që një gjë e tillë sipas Eqrem bej Vlorës ishte e parakohshme.
______________
1. Frashëri,Kristo,” Lidhja Shqiptare e Prizrenit(1878-1881)”, Tiranë, 1989, fq.5
2. Po aty, fq. 160
3. Po aty, fq. 165-166