Shkaku i ndertimit te Taxhmahalit

Xhamia Taxh Mahal

Dashuria e madhe e Shahxhihanit me Mymtazmahalin që la prapa Taxhmahalin, i cili sot pranohet si përmendorja më e madhe dhe më e bukur që është ngritur mbi rruzullin tokësor për dashurinë.

“Allahu çdo shpirt e ka krijuar në formën e sferës dhe pastaj e ka ndarë atë më dysh. Kur trupat që janë vendosur në secilën nga këto gjysma takohen me njëri-tjetrin, atëherë lindja e dashurisë është e pashmangshme. Ata që kuvendojnë me njëri-tjetrin në botën shpirtërore para se të vijnë në jetë ushqejnë dashuri për njëri-tjetrin edhe në këtë botë”, shprehen dijetarët për dashurinë.

Nuk dihet nëse ka filluar apo jo që në botën e shpirtrave dashuria e Shahxhihanit me Mymtazmahalin, por dashuria e tyre solli ndërtimin e tempullit më të madh të dashurisë mbi rruzullin tokësor. Taxhmahali, i cili vazhdon të jetë një nga vendet më të vizituara edhe në ditët e sotme, ka arritur të mbijetojë deri në ditët tona duke sfiduar qindra vite, luftëra, dyndje dhe lloj-lloj fatkeqësish natyrore. Kjo elegji prej mermeri na rrëfen neve që jemi sot në jetë dashurinë e pavdekshme të tyre. Dhe tani po ju përcjellim historinë e kësaj dashurie sublime.

Një ditë princi i ri 16-vjeçar takohet me Erxhymend Banu-në, vajzën shumë të bukur të komandantit turk me famë, Asaf Han. Kur u panë sy më sy, për momentin princit të ri i iku mendja fare. Një magji dashurie ia mbështjell të gjithë trupin, që nga koka deri tek këmbët. Vajza është më e madhe se princi, por sa rëndësi ka mosha këtu?

Edhe zemra e vajzës së bukur, mirëbërëse, e brishtë dhe me shpirt të mirë, rrihte për princin. Këta dy shpirtra, këto dy zemra të krijuar për njëri-tjetrin do të prisnin 5 vjet për të gjetur lumturinë. Më në fund u martuan me një dasmë madhështore.

Djali i sundimtarit të botës ishte njëkohësisht një burrë shteti largpamës, i përgatitur e shkolluar mirë. Ai nuk ishte i aftë vetëm në politikë, por ishte një mjeshtër i mirë edhe në fushën e artit. Kur kalon në krye të Perandorisë Turko-Indiane ndërsa ishte në moshën 34-vjeçare atij i vendoset emri Shahxhihan (Shahu i Botës). Ndërsa gruas së tij të dashur i vendosin emrin Mymtazmahal, për shkak të gjitha bukurive të rruzullit që reflektonte.

Të dy të dashuruarit digjen me një dashuri të madhe për njëri-tjetrin edhe pse kishin kaluar shumë vite martese. Gjatë kësaj kohe dashuria e tyre e veçantë dha frytet e saj. Mymtazmahali solli në jetë 13 fëmijët e Shahxhihanit. Ndërsa kur ishte shtatzënë me fëmijën e 14-të fati nis e ndërton rrjetën e vet.

Shahxhihani ndërkohë udhëhiqte një perandori të lavdishme dhe ishte i angazhuar me probleme të ndryshme në territoret e gjera të perandorisë. Kur nisi kryengritja në Burhanpinar ai mblodhi ushtrinë dhe shkoi këtë për të shtypur kryengritjen. Bashkëshortja shtatzënë në muajin e shtatë kërkon të shkojë bashkë me të shoqin. Pasi burrë e grua për vite të tëra nuk ishin ndarë për asnjë çast nga njëri-tjetri. Madje Mymtazmahali kishte marrë pjesë në luftëra bashkë me Shahxhihanin.

Sa do që Shahxhihani i kundërvihet gruas të tij për arsye të shtatzënisë, Mymtazmahali këmbëngul dhe të dy marrin rrugën bashkë me ushtrinë. Por dhimbjet e para të lindjes e kapin në rrugë, dhe si duket do të ishte fati, vullneti i Zotit dhe Mymtazmahali humbet jetën duke lindur fëmijën e 14-të.

Shah Xhihani në këtë kohë ishte duke u përpjekur me shtypjen e kryengritjes dhe kur mori lajmin iu errësua e gjithë bota. Mori trupin tashmë të pajetë të gruas së tij, të cilën e dashuronte me një pasion aq të madh, dhe u kthye menjëherë në pallatin perandorak. Por nuk do që të besojë se vdekja i ka marrë nga jeta gruan që e donte aq shumë. Kur u detyrua ta varrosë trupin e pajetë të Mymtazmahal-it, të cilën e kishte mbajtur ashtu për disa ditë me shpresën se mos ringjallej, mbyllet në dhomën e tij dhe nuk ha e pi asnjë gjë. Tani nuk interesohet më me punët e shtetit, nuk takohet me asnjë njeri. Pas 9 ditëve Shahxhihani hap derën dhe del për herë të parë jashtë, por ç’të shikosh, flokët e perandorit ishin zbardhur të gjitha, dukej i rrënuar tërësisht. Tani ai ishte një njeri i heshtur, i mbyllur në vetvete, sepse për atë tashmë kishte perënduar dielli i jetës. Pas vdekjes së gruas do të mbante zi për dy vjet. U mundua që ngushëllimin ta gjejë tek arti.

2 vite pas vdekjes së Mymtazmahal-it Shahxhihani lëshon këtë urdhër: “Lajmëroni të vijnë këtu arkitektët më të njohur të perandorisë”. Qëllimi i tij është të ndërtojë Taxhmahalin, që sot pranohet si përmendorja më e madhe dhe më e bukur që është ngritur mbi rruzullin tokësor për dashurinë. Dëshira e tij është të ndërtojë një tempull madhështor në kujtim të bashkëshortes, Mymtazmahal, të cilën e deshi me një dashuri të madhe dhe besnike dhe që e kishte humbur gjatë lindjes së fëmijës së tij të 14-të.

Arkitektët e Indisë, Turkistanit, Iranit, Frendistanit dhe Anadollit u mblodhën në Agra. Shahu i Botës (Shahxhihan) u thotë arkitektëve që të ndërtojnë një për gruan e tij të dashur, Mymtazmahalin një tyrbe të tillë që ta rrëfejë dashurinë e tij deri në ditën e kiametit.

Arkitektët nisën punën dhe propozimet e projektet që kishin përgatitur ia paraqitën Shahut. Nga projekte që i propozuan Shahxhihani më shumë pëlqeu atë të Mehmet Isa Çelebiut, i cili kishte qenë nxënësi i Arkitekt Sinanit. Sapo e pa vizatimin tha: “Ky është tempulli që do ta shprehë më së miri dashurinë time” dhe dha urdhër për fillimin menjëherë të punimeve. Çdo urdhër dhe kërkesë e arkitektit do të zbatohej urgjentisht.

Arkitekt Isa Çelebiu solli nga Stambolli ustallarë për kupolat dhe vizatimet murale. Nga shumë mjeshtër osmanë ai kërkon të përgatisin vula, mbishkrime, gdhendje dhe të latojnë mermerët. Punimet zgjasin 22 vjet dhe në vitin 1652 Taxhmahali përfundon së ndërtuari. Kur e shikon të përfunduar veprën Shahxhihani gëzohet dhe lumturohet pa masë. Qëndron para tempullit dhe ndalet përballë shatërvanit, që simbolizon bukurinë e kulluar të gruas së tij, dhe i falënderohet Allahut që i dha shansin ta shikojë me sytë e tij këtë vepër. Ashtu edhe kishte qenë dëshira e tij, dashuria e Shahxhihanit ndaj Mymtazmahale-s do të përhapet dhe mbijetojë deri në ditën e kiametit.

Nuk dihet se sa e vërtetë është gojëdhëna që Shahxhihani u ka prerë krahët mjeshtërve për të penguar ndërtimin e një Taxhmahali tjetër në botë, por një gjë që dihet saktë është se Shahxhihani deri sa vdiq nga pallati i tij në Agra ka parë me sy të hidhëruar e pikëlluar tyrben e Mymtazmahalit. Kur vdes perandori varroset pranë Mymtazmahale-s. Dy të dashuruarit prehen ende pranë njëri-tjetrit dhe presin që të bashkohen edhe një herë në pafundësi kur të ringjallen pas ditës së kiametit.

Taxh Mahali është tempulli më i mrekullueshëm mbi rruzullin tokës i dashurisë dhe besnikërisë. Me lindjen e diellit mermeri merr ngjyrë rozë, në drekë ai kthehet në të bardhë dhe në darkë shndërrohet në trëndafil të verdhë sikur kërkon të na rrëfejë bukurinë e Mymtazmahal-es. Ndoshta duke i dhënë tempullit këtë pamje të pafajshme e të pikëlluar është munduar të përjetësohet vdekja e gruas të Shahut ndërsa ishte duke sjellë në jetë fëmijën e 14-të.

Kupola e Taxh Mahalit është kubeja karakteristike turke. Kur këndohet kurani poshtë kubesë zëri bën jehonë 7 herë. Në të katër anët e tempullit është shkruar me një mjeshtëri të pashoqe e gjithë sureja Jasin. Të gjitha punimet e imëta kanë dalë nga duart e mjeshtërve të rrallë. Në muret prej mermeri janë vendosur me qindra-mijëra gurë agat, sedef, rubin i kaltër, rubin i verdhë, 5 diamante, margaritar, nefrit dhe perla të mëdha. Duket sikur Taxhmahali është një kopsht me lule i ndërtuar me gurë të çmuar nga Shahxhihani për t’u vizituar e parë nga afër nga e dashura e tij, Mymtazmahal. Taxhmahal bashkë me kupolën dhe katër minaret e saj prej mermeri të bardhë që reflektohen në shatërvanin që ndodhet në oborr është një elegji dashurie që zgjatet deri në pafundësi.