Mos degjo fjalet e njerezve dhe gojet e liga

Një i ri vajti të kërkojë dorën e një vajze, por më parë u interesua se ç’vajzë ishte. Pothuajse të gjithë i theksuan se ishte vajzë e keqe, e pamoralshme dhe nuk bënte për të.
I riu u shokua nga çfare dëgjoi. Rrugës takoi një të moshuar të urtë, i cili duke e parë të mërzitur e pyeti:”Çfarë të ka ngjarë more bir?”
I riu i rrëfeu gjithçka i kishte ndodhur.
Pasi e dëgjoi deri në fund, i moshuari i tha:”Mos e kij atë merak fare, do të jap unë vajzën time për grua, por para se ta mbyllim këtë muhabet, shko e pyet një herë, nëse vlen apo jo për ty!”
Të riut iu bë qejfi dhe i gëzuar u nis drejt fshatit për të pyetur për vajzën e plakut. Por, edhe në këtë rast, dëgjoi fjalët më të liga, e pamoralshme, e ligë, e poshtër ..”
Vajti tek i moshuari dhe ia rrëfeu të gjitha.
I moshuari e mori përdore dhe të dy vajtën në shtëpinë e tij. Hynë brenda të dy dhe i riu nuk pa tjetër kënd përveç të shoqes së moshuar.
“Ku e ke vajzën?” e pyeti i riu.
I moshuari ia ktheu:”O bir! Ime shoqe dhe unë nuk kemi as djem as vajza, sepse ime shoqe nuk lind. Prandaj, të këshilloj mos ti dëgjosh fjalët e njerëzve dhe gojët e liga!”