Femija dhe pema e molles

Shumë kohë përpara, na ishte një dru i madh molle. Një fëmijë e kishte qejf të shkonte për çdo ditë e të lozte rreth e rrotull tij. Ai ngjitej në maje të drurit, hante molla dhe pastaj e merrte një sy gjumë nën hijen e tij. Ai e donte drurin, po edhe druri donte të lozte me të. Kaloi një kohë e gjatë, fëmija i vogël u rrit dhe nuk vinte më për çdo ditë të lozte përreth pemës. Një ditë, djaloshi u kthye te pema, mirëpo dukej i zymtë.
“Eja dhe luaj me mua”, iu lut pema djalit.
“Nuk jam më fëmijë, unë nuk luaj më përreth drunjve, iu përgjigj ai. – Unë dua lodra, mirëpo nuk kam para t’i blej”.
“Më vjen keq, ama unë para nuk kam. Mund t’i mbledhësh të gjitha mollët e mia, t’i shesësh dhe të bësh paratë”, i tha druri i mollës.

Djaloshit iu bë qejfi shumë. I rrëmbeu të gjitha kokrrat e mollëve dhe iku i lumtur. Mirëpo ai nuk u kthye më, pasi i kishte mbledhur mollët. Druri u merzit shumë.
Një ditë, djaloshi i cili tanimë ishte bërë burrë, u kthye sërish dhe pema u gezua së tepërmi.
“Eja dhe luaj me mua”, i tha pema. “Nuk kam kohë të luaj. Më duhet të punoj për familjen. Madje na duhet një shtëpi për strehim. A mund të më ndihmosh?”, i tha ky.“Më vjen keq, ama unë nuk kam shtëpi. Ti mund t’i presësh degët e mia dhe të ndërtosh një shtëpi”, i tha druri njeriut.

Ky ia preu të gjitha degët dhe iku i lumtur. Druri u gëzua kur e pa atë të lumtur, mirëpo njeriu nuk u kthye më. Druri sërish mbeti i vetmuar dhe i merzitur.
Një ditë të nxehtë vere, njeriu u kthye prapë, ndërsa druri u gëzua tej mase. “Eja dhe luaj me mua!”, i tha druri.“Po plakem. Dua të shkoj të lundroj me anije për t’u relaksuar e çlodhur. A mund të më japësh një varkë?”, i tha njeriu drurit.“Përdore trungun tim për ta ndërtuar varkën. Pastaj lundro larg e larg dhe kënaqu”.

Kështu, njeriu e preu trungun e drurit për ta ndërtuar varkën. Ai shkoi për lundrim dhe nuk u duk më për një kohë të gjatë. Përfundimisht, pas shumë vitesh të kaluara njeriu u kthye sërish te druri i mollës.Por kësaj radhe molla i thotë:
– “Më vjen keq, biri im. Nuk kam më asgjë për ty, nuk kam më mollë të të jap”, i tha druri.
– “S’ka gjë, edhe unë nuk kam më dhëmbë për të kafshuar”, iu përgjigj njeriu.
– “Nuk kam më trung të ngjitesh në të”, i tha druri.
– Njeriu i tha: “Jam shumë plak për atë punë, s’ngjitem dot”.
– “Vërtet nuk mund të të jap asgjë. E vetmja gjë që më ka ngelur janë rrënjët e mia që po më vdesin”, i tha druri i përlotur.
“Tani nuk kam nevojë për diçka më tepër, sesa një vend për t’u ulur.

Jam lodhur fort pas kaq e kaq vitesh”, iu përgjigj njeriu.

“O Zot, rrënjët e një druri të moçëm janë vendi më i mirë për t’u mbështetur në to e të pushosh. Eja, ulu pranë meje dhe pusho”, i tha druri.

Njeriu erdhi, u ul pranë tij, ndërsa druri ishte shumë i lumtur dhe qeshej me lot.

Cfare mësojmë nga kjo fabul, për të gjithë ata që nuk e kuptuan…

Ky rrëfim vlen për çdokënd.

Druri është sikurse prindërit tanë.

Kur jemi të vegjël, duam të luajmë me mamin dhe babin.

Kur rritemi, i braktisim ata; vijmë te ta vetëm kur na duhet diçka ose kur jemi në bela.

Sido që të jetë, prindërit janë gjithnjë aty dhe do të na japin gjithçka që munden, vetëm e vetëm të na bëjnë të lumtur.

Juve mund t’ju duket se djaloshi ishte shumë i vrazhdë ndaj drurit.

Po.

Edhe ne të gjithë jemi të tillë ndaj prindërve tanë.

Mbështetemi tek ata, mirëpo nuk e çmojmë atë që ata e bëjnë për ne.

“O Zot, na fal për gabimet tona ndaj prindërve dhe na udhëzo në rrugë të mbarë!”

Burimi: /supershendeti.com/