Karvan Saraji

Karvan Saraj (Shkup)

Nga: Prof. Dr. Milazim Krasniqi

Karvansaraji ishte një institucion që ofronte shërbim humanitar, social por edhe siguri për karvanet, udhëtarët dhe pasuritë e tyre. Kavansarajet ngriheshin në largësi të caktuara, ashtu që udhëtarët me karvane të mbërrinin nga njëri karvansaraj në tjetrin, para muzgut. Llogaritej se niseshin me të falë të namazit të sabahut dhe arrinin në karvansarajin tjetër, në kohën e ikindisë. Në karvansaraje ofrohej ushqim dhe strehim tre net falas. Edhe karvansarajet mirëmbaheshin nga njerëz bamirës, jo nga fondet shtetërore. Pasanikët besimtarë i financonin ato institucione me bindjen se ashtu fitonin shpërblimet te Krijuesi. Në karvansaraje kishte edhe mesxhide për falje të namazeve, hamame e në ndonjë rast edhe medrese. Karvansarajet ruheshin nga roje të armatosura dhe më të shumtën ishin të fortifikuara, që të ishte siguria e plotë.