Madhështia e personalitetit të Muhammedit a.s.

Ajni Sinani

Nga: Ajni Sinani
Muhammedi a.s. është më i famshmi i gjithë historisë njerëzore. Ai është gërshetim i virtyteve të ndritshme dhe pasqyrë e shëmbëlltyrës së lartë. Është dërguar nga Zoti si mëshirë për mbarë njerëzimin. “Morali i tij ishte Kurani”. Ai i përfitoi zemrat e njerëzve si askush para apo pas tij. Edhe pse ishte i falur dhe më i dashuri i Zotit ai falej dhe lutej duke i kaluar netët në adhurim aq sa i ënjteshin këmbët.
Përkundër gjithë madhështisë së Pejgamberit të Zotit, njerëz të pandershëm kohë pas kohe thurin akuza të rreme ndaj tij. Mirënjohja jonë më e mirë ndaj të Dërguarit besnik të Allahut dhe përgjigjja më e fuqishme ndaj atyre njerëzve të pavlerë që duan të atakojnë figurën madhështore të Muhammedit a.s. padyshim se është të njohurit sa më të thellë të jetës së Pejgamberit a.s. Duke njohur biografinë e Muhammedit a.s. ne kuptojmë madhështinë e tij, akceptojmë pavlefshmërinë e kundërshtarëve të së Vërtetës, dhe njëkohësisht lartësojmë dhe fisnikërojmë veten tonë.
Fatmirësisht, shumë autorë perëndimor që kanë filluar të kenë një qëndrim më objektiv ndaj të dërguarit të fundit të Allahut, atë do ta përshkruajnë si një njeri gjeni, mësues i madh, me aftësi të jashtëzakonshme, reformator, i cili arriti t’ia ndryshojë pamjen botës dhe të ndryshojë rrjedhat e historisë.
Prandaj një prej metodave si përgjigje adekuate ndaj mashtruesve janë vlerësimet e bëra nga shumë figura të njohura të Perëndimit ndaj Muhammedit a.s.. Në vazhdim do të sjell disa nga konsideratat e tyre që i kam marrë nga libri im “Të tjerët për Islamin:
“Muhammedi a.s. Njeri i shkëlqyer, dritë e Zotit, Në histori, kërkova shembullin e një njeriu të shkëlqyer, e atë e gjeta te pejgamberi Muhammed.“ Gëte
“Unë e kam studiuar jetën e Muhammedit (a.s.)- ai, është njeri i mrekullueshëm, atë, duhet ta quajmë shpëtimtar të njerëzimit.“ Bernard Show.
“Nëse madhështia e qëllimit, thjeshtësia e mendimit dhe rezultatet e arritura, janë tri kritere të gjenialitetit njerëzor, kush mund të marrë guximin të krahasojë, cilindo njëri të madh, në historinë njerëzore, me Muhammedin (a.s.)?“ Lamartini.
“Muhammedit (a.s.) i takon lavdia më e madhe, që e udhëzoi njerëzimin në dritën e vërtetë, në drejtësi dhe paqe.“ Tolstoi.
“Ishte i ditur dhe modest, gjenialiteti i popullit arab, të cilin e vuri në lëvizje Muhammedi (a.s.) bëri përparim mahnitës. Qysh në shek. e dytë sipas Hixhretit, Arabët bëhen mësuesit e Evropës në dije dhe arte, kurse të krishterët mësuan në perëndim, tek muslimanët.” Volteri
“Musai (Mojsiu), ia ka shpallur fenë e Zotit, popullit të vet, Isai (Jezusi) botës romake, kurse Muhammedi (a.s.), tërë botës.“ Napoleon Bonaparti.
“Muhammedi a.s. është personaliteti i jashtëzakonshëm. Muhammed, më vjen keq që s`isha bashkëkohësi yt. Njerëzimi, vetëm një herë, ka parë një figurë të tillë unikale, siç ishe ti dhe më s`do të ketë rastin të shohë (të ngjashëm). Unë, me respektin më të madh, përulem, para paraqitjes tënde të madhërishme”. Princi Otto Von Bismark.
“Kur përfundova së lexuari pjesën e dytë të biografisë së tij, më erdhi keq që s`kisha të lexoja edhe më shumë për atë jetë të madhe.” Mahatma Gandi.
“Dërgimi i mesazheve mbretërve të kohës, tregon bindjen e paluhatshme të Muhammedit (a.s.), në misionin dhe vetveten e tij. “ J. Lal Nehro.
“Admirimin tonë e meriton besimi i përhershëm i Pejgamberit, si para ashtu edhe pas fitores. Sa të padrejta janë vlerësimet e Perëndimit, ndaj Muhammedit a.s., i cili vetë, në atë kohë, në shkretëtirën e largët, insistonte në ato parime, duke përfshirë edhe objektivitetin dhe përpjekjen për dije.” Edvard Gibon & Simon Ocklay.
“Muhammedi (a.s.) ishte dinjitoz me të mëdhenjtë, kurse modest me të vegjlit, duke shkaktuar mahnitjen e të dy palëve.“ John Davenport.
“Në çastet e triumfit më të madh, pas ngadhënjimit të tij, ndaj armiqve, atë nuk e kaploi mendjemadhësia. Sjelljet e Pejgamberit a.s., në Mekë, dëshmojnë se ai ishte lajmëtar i dërguar, e jo udhëheqës fitimtar. Ai u tregua i mëshirshëm dhe tolerant ndaj bashkëqytetarëve, edhe pse tanimë posedonte fuqinë. Mirëpo, ai triumfin dhe fitoren e tij e kurorëzoi me mëshirë dhe falje.” Washington Irving.
“Në çdo gjë, Muhammmedi (a.s.), qe thellësisht racional. Kur i vdiq i biri i i tij i dashur, Ibrahimi, pasoi zënia e diellit dhe populli filloi të flasë, se me këtë, Zoti po shpreh pikëllimin. Sapo e dëgjoi këtë, Muhammedi a.s., tha: ‘Zënia e Diellit (dhe Hënës) është fenomen natyror. Ajo nuk ka të bëjë me lindjen ose vdekjen e ndonjë njeriu’.” James H. Hart & James A. Michener
“Dita e triumfit më të madh të Muhammedit a.s. ndaj armiqve të vet, ishte, në të njëjtën kohë, edhe dita e fitores më të madhe të tij ndaj vetvetes. Ai, me zemërgjerësi, ia fali kurejshitëve vitet e urrejtjes dhe mërive, dhe shpalli amnisti për të gjithë banorët e Mekës.“ Stanley Lane Pole.
“Ishte njeri me qëllime të sinqerta dhe serioze, ishte jo vetëm i madh, por më i madhi ndër më të mëdhenjtë. Ishte njeri që njerëzimi nuk e kishte njohur kurrë më parë.“ Majori A. G. Leonard.
“Muhammedi (a.s.) e komunikoi këtë shpallje, (ku ai u qortua rreptësishtë, sepse në kohën kur ishte duke folur me disa nga paria e Mekës, ia ktheu shpinën dhe nuk iu përgjigj një të verbëri) gjë që me siguri s`do ta bënte, sikur të ishte mashtrues, ashtu sikurse e konsiderojnë disa të paditur, në mesin e të krishterëve.” G. W. Leitner.
“Muhammedi kishte karakter fisnik, sjellje të jashtëzakonshme, fjalë bindëse, të drejta dhe tërheqëse.” Edward Montet.
‘Muhammedi a.s. kur filloi të komunikoi Islamin, ishte i ri dhe fisnik, i mbushur me fuqi për gjykim të drejtë.“ Rene Crouset.
“Për më pak se një vit, Muhammedi (a.s.), u bë udhëheqës i vërtetë shpirtëror, prijës dhe sundimtar i Medinës. Pa përdorur aspak forcën, ia arriti shumë shpejt të tronditë mbarë botën.” John Austin.
“Muhammedi (a.s.) qysh nga fëmijëria është dalluar për sinqeritet, sa që është quajtur: i drejti, i besueshmi.” E. Laris
“Ishte i sinqertë dhe i dashur për njerëzit e vet, njeri bujar dhe i dhembshur. Gjithnjë ka ndier dhembje ndaj vuajtjeve njerëzore dhe tregohej i gatshëm t`u ndihmonte të tjerëve, e veçanërisht të varfërve dhe të paaftëve. Për shkak të ndjenjës së tij të ndershmërisë, obligimit dhe të besimit, fitoi tituj të lartë si ” i drejti dhe i besueshmi. ” Huston Smith.
“Mbase, prijësi më i madh i të gjithë kohëve është Muhammedi (a.s.)” Jules Meserman.
“Mashtruesi i thjeshtë nuk është në gjendje të formojë një religjion, të cilin e kanë pranuar miliona njerëz dhe i cili është shndërruar në fe universale.“ Busfer Smith
“Nëse mund të thuhet për dikë, se ka sunduar në saje të besueshmërisë dhe fesë, ky do të ishte Muhammedi (a.s.).“ Dr. Laura Veccia Vaglieri.
“Nuk qe dhënë pas stolive të kësaj bote dhe nuk ishte koprrac. Ishte i përmbajtur dhe gjersa u largua nga kjo botë, asnjëherë nuk u ngop me bukë elbi.“ Henri De Kastro.
“Çdo njeri, që e studion jetën, karakterin, nivelin e të mësuarit dhe mënyrën e jetesës së përditshme të Muhammedit a.s., është e pamundur të ndiejë diçka tjetër, përveç admirimit të jashtëzakonshëm ndaj tij, si njëri nga pejgamberët më të mëdhenj të njerëzimit. “ Anie Besant.