Çfarë ke shpërndarë është e jotja!

Çfarë ke shpërndarë është e jotja!
Kishin prerë një dele e kur erdhi në shtëpi e pyeti të shoqen:’Edhe sa ka mbetur nga mishi i deles?` E shoqja:’Ka mbetur vetëm krahu i deles sepse pjesën tjetër e kam shpërndarë.` Bashkëshorti: Pjesa tjetër na paska mbetur, krahu paska shkuar!  Ky ishte Muhamedi s.a.s. Lëmosha që jipet është ajo që i kthehet dhuruesit në shumëfish e në shumë forma, lëmosha që jipet është ajo pjesë që në të vërtetë mbetet përjetësisht me dhururesin.

Në një periudhë të vështirë, kur shumë njerëz nuk kanë mundësi të punojnë, kur është ndaluar ekonomia në të përgjithshmën e saj, shtresa e varfër që me vështirësi i`a mbërrin muaji muajin bëhet tmerrësisht e varfër. Këta njerëz kanë nevojë të ushqehen që të mos vdesin nga uria në vitin 2020. Shteti nuk bën sa duhet në rastet tona. Duhet që me kontribute të njerëzve të mirë, me kontribute të njerëzve shpirtmëdhenj e të ndjeshëm të ndryshojmë me sa kemi mundësi jetën e tyre. Kjo shtresë që pret ndihmën e përbashkët të atyre që kanë mundësi është një lloj amaneti nga Zoti për shtresat që mund të japin. Moskujdesja për këtë shtresë është një gjendje pa ndjenja dhe e pa shpirt.

Lëmosha është pastrim nga mëkatet, është pastrim nga fitimi i pamund, nga përfitimi përmes rrugëve dhe formave të ndaluara e të padrejta. Lëmosha e mbron njeriun nga të paprituarat, lëmosha e shton begatinë, lëmosha ndihmon konsiderueshëm në ekuilibrimin e gjendjes ekonomike në nivel shoqëror. Lëmosha shton kënaqësinë e dhuruesve dhe arrin lutjet e të varfërve, lëmosha shton dashurinë mes njeriut dhe Zotit, mes njeriut dhe njeriut.

Lëmosha është vërtetim i besimit, vërtetim e dëshmi e dashurisë dhe bindjes ndaj Zotit dhe urdhërave të Tij. Lëmosha është një dëshmi e qartë që zemrat tona nuk janë të ngurtësuara, lëmosha dëshmon se kemi dhembshuri e mëshirë për njëri-tjetrin. Lëmosha është një lloj lutjeje dhe kërkese ndaj Zotit që të na falen gabimet e mëkatet e ndryshme, pa të cilat nuk ka njeri. Lëmosha do të bëhet dëshmi e fortë në Ditën e Gjykimit, që Zoti të na fal e gjykojë me Mëshirën e tij. Profeti Muhamed s.a.s. na mëson se cdo mëngjes zbresin engjujt nga shtatë qiejt e luten kështu: O Zot, jepi atij që jep! Lëmosha e shton pasurinë, e shton shëndetin, e shton harmoninë e kënaqësinë e mirëfilltë shpirtërore. Lëmosha e shuan zemërimin e Zotit shprehet në një tjetër okazion Muhamedi s.a.s.

Zoti na mëson se djalli i mallkuar e ngacmon njeriun dhe përpiqet ta ndalojë atë nga veprat e mira, përkundrazi e nxit për vepra të këqija. Është në cilësinë dhe në karakterin e besimtarëve të vërtetë që të mos mbesin në kthetrat e vesveseve, mendimeve dhe aryestimeve djallëzore.

Le të bëhemi tok të gjithë së bashku e të ndihmojmë më sa kemi mundësi, të ndihmojmë të varfërit tonë, e mos ta humbim këtë rast të madh që padyshim është e përkohshme, një ditë nuk do ta kemi më në dorë. Në një Ditë të Madhe njeriu do të pendohet për veprat e mira që ka patur mundësi t`i bëj por i ka nënvlerësuar e nuk është treguar sa duhet aktiv dhe i vëmendshëm.

Mund të mos jemi shumë të pasur, nuk duhet të jesh shumë i pasur për të ndihmuar. Zoti përmend shembujt e atyre njerëzve fisnik që edhe kur janë vetë në vështirësi e ndajnë kafshatën për nevojtarët e tjerë. E Zoti padyshim që sheh dhe u`a kthen në të mirë. Asgjë që ndodh nuk lihet pa u shkruar, ajo shkruhet në një Libër të Ruajtur mirë!

Së fundmi, le ta vendosim veten në vendin e atyre që janë në gjendje të mjerueshme e nuk ankohen, në gjendjen e atyre që ndoshta i pikon shtëpia e nuk kanë ngrohje, janë të gjithë të sëmurë e nuk kanë mundësi të shkojnë të bëjnë vizita tek mjeku. Rasten e fëmijëve jetimë që përtej zbrazësisë shpirtërore e familjare i duhet të jetojnë edhe pa ushqim e pa veshje sic duhet.

Edhe pasuria është dhuratë nga Zoti që është e kushtëzuar me përpjekje. Të gjithë dëshirojmë të kemi pasuri pafund por jo të gjithë e arrijmë. Dikush vuan në varfëri, madje në atë ekstreme Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin do të shpëtojë. 91:9. Në të vërtetë, kthimi është tek Zoti Yt! El Alak: 8.

Pergatiti
Blerim Ciroka